Lideri i ri i partisë së dytë më të madhe në vend aktualisht, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka zhvilluar sot një sërë takimesh me ambasadorë të ndryshëm.
Gjatë takimit të fundit, Hamza priti ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ku u diskutua perspektiva evropiane e Kosovës dhe domosdoshmëria e thellimit të integrimit të vendit në BE.
Hamza theksoi se një Kosovë më e zhvilluar dhe e integruar plotësisht në familjen evropiane është objektivi kryesor i PDK-së.
Ai gjithashtu u zotua se, nëse qeveria e re udhëhiqet nga PDK, do të angazhohet për heqjen e sanksioneve të vendosura ndaj Kosovës nga BE-ja dhe shtetet anëtare, duke mundësuar që vendi të përfitojë sa më shpejt nga projektet e përafrimit me BE-në.
I pari i PDK-së theksoi se mbetet i përkushtuar ndaj dialogut të hapur me partnerët ndërkombëtarë, duke e cilësuar këtë si çelës për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe të gjithë rajonit.
