Kandidati për deputet në radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka kërkuar rinumërimin e të gjitha votave të kandidatëve të kësaj partie në zgjedhjet e 7 qershorit.
Haxhiu ka dështuar të sigurojë ulëse në Kuvend për vetëm 102 vota.
Sipas tij, rinumërimi i pjesshëm i 3.52 për qind të votave të PDK-së ka dëshmuar se ka pasur gabime në procesin e numërimit, duke shtuar se për shkak të diferencës së vogël kërkohet verifikim i plotë i votave.
Ai ka bërë të ditur se ka paraqitur ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke kërkuar rinumërimin e plotë të votave të kandidatëve të PDK-së.
Postimi i plotë:
Sot kam paraqitur ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke kërkuar rinumërimin e plotë të votave të kandidatëve për deputet të Partisë Demokratike të Kosovës. Kjo kërkesë nuk bazohet në supozime apo pakënaqësi me rezultatin, por në fakte të konfirmuara nga vetë procesi i rinumërimit të zhvilluar nga KQZ.
Rinumërimi i vetëm 185 vendvotimeve, që përfshin rreth 3.52% të votave të PDK-së, dëshmoi se kishte gabime në numërimin fillestar. Edhe në këtë mostër të kufizuar, më janë shtuar 6 vota që nuk ishin numëruar më parë. Kur diferenca ndërmjet kandidatëve është vetëm 102 vota, çdo votë ka rëndësi dhe çdo pasaktësi mund të ndikojë drejtpërdrejt në rezultatin përfundimtar.
Për këtë arsye kam kërkuar që të rinumërohen të gjitha votat e kandidatëve të PDK-së që nuk janë përfshirë në rinumërimin e deritanishëm. Vetëm një verifikim i plotë mund të garantojë që mandati parlamentar t’i takojë kandidatit që ka fituar besimin e qytetarëve dhe që çdo votë të numërohet saktë.
Besimi në procesin zgjedhor ndërtohet mbi transparencën, ligjshmërinë dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve. Pres që PZAP-i ta shqyrtojë këtë ankesë në mënyrë të paanshme dhe të marrë një vendim që garanton integritetin e zgjedhjeve dhe mbrojtjen e çdo vote.
Me e rëndësishme se shpejtësia e publikimit të rezultatit zgjedhor është saktësia e tij, që çdo votë e votuesit të jetë e numëruar ashtu siç është vullneti i tij më 7 qershor 2026.
Bazuar edhe në procesin e kaluar zgjedhor ku unë kam identifikuar dhe paraqitur me fakte manipulimin e procesit zgjedhor me 28 dhjetor 2025, edhe ky proces ka deformime, prandaj kam parashtruar ankesë në PZAP.
