Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se me pikëllim ka marrë lajmin për ndarjen nga jeta të ish-komandantit të UÇK-së, Sahit Jashari.
“Sahit Jashari i përkiste brezit të njerëzve që në ditët më të vështira të Kosovës iu përgjigjën thirrjes së lirisë me guxim, përkushtim dhe sakrificë. Si bashkëluftëtar i hershëm dhe një prej figurave të para të organizimit çlirimtar, ai mbeti i lidhur përjetësisht me Prekazin, me Drenicën dhe me historinë e qëndresës sonë kombëtare”, thuhet në telegramin ngushëllues të saj.
Ajo më tej ka thënë se jeta e tij ishte e lidhur me idealin e lirisë dhe me rrugën e gjatë të Kosovës drejt çlirimit.
“Në kujtesën e familjes, të bashkëluftëtarëve dhe të qytetarëve që e njohën, Sahit Jashari do të mbetet njeri i qëndresës, i besës dhe i përkushtimit ndaj atdheut”, ka theksuar Haxhiu.
Haxhiu ka thënë se në këto ditë dhimbjeje, bashkëndjej me familjen Jashari, me të afërmit, bashkëluftëtarët e miqtë e tij për këtë humbje.
“Në emrin tim dhe të Presidencës së Republikës së Kosovës, pranoni ngushëllimet më të sinqerta”, thuhet më tej në telegramin e saj.
Sahit Jashari vdiq mbrëmjen e së enjtes në moshën 61-vjeçare.
Ai njëri ndër bashkëluftëtarët e parë të ish-komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.
