Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, deklaroi se abuzimi me drogat dhe trafikimi i paligjshëm i tyre përbëjnë ndër rreziqet më serioze për të rinjtë dhe sigurinë shoqërore në vend.
Në tryezën e organizuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër Abuzimit me Droga dhe Trafikimit të Paligjshëm, Haxhiu tha se për drogat dhe pasojat e tyre duhet të flitet hapur, pa paragjykime, duke theksuar rëndësinë e informimit në shkolla, familje dhe komunitet.
Ajo kërkoi vëmendje të veçantë për shkollat, pas raportimeve për praninë dhe shitjen e substancave narkotike pranë tyre, duke theksuar se parandalimi duhet të nisë përmes edukimit, përfshirjes së prindërve, angazhimit të psikologëve, pedagogëve dhe mësimdhënësve të trajnuar.
Sipas Haxhiut, lufta kundër drogës kërkon mobilizim të gjerë shoqëror dhe bashkëpunim të institucioneve publike, profesionistëve të shëndetit, Policisë së Kosovës dhe organizatave që punojnë me persona që përballen me varësinë.
Ajo theksoi se personat e varur nga substancat narkotike duhet të trajtohen si njerëz që kanë nevojë për trajtim, mbështetje dhe rehabilitim, ndërsa përgjegjësia penale duhet të rëndojë mbi trafikantët që përfitojnë nga varësia e tyre.
Haxhiu rikujtoi se Kosova ka miratuar Strategjinë Shtetërore Kundër Drogave 2024–2028 dhe se janë krijuar mekanizma për adresimin e fenomenit, por shtoi se sfida kërkon angazhim të vazhdueshëm në parandalim, trajtim dhe zbatim të ligjit.
Ajo bëri thirrje për më shumë koordinim dhe veprim institucional, me synim mbrojtjen e të rinjve nga varësia, luftimin e trafikimit të drogës dhe forcimin e përpjekjeve kundër krimit të organizuar.
