Kandidati për deputet nga radhët e LDK’së, Avdullah Hoti, ka goditur mbarë opozitën lidhur me qëndrimin karshi gazit amerikan.
Hoti, me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ka thënë se i gjithë aktiviteti opozitar po organizohet rreth kapjes së posteve shtetërore, shkruan Insajderi.
“Por kur i gjithë aktiviteti opozitar organizohet rreth kapjes së posteve shtetërore, e jo rreth kauzave dhe interesit shtetëror, atëherë rezultati i zgjedhjeve është ky që e pamë të dielën e kaluar – rezultat që përpikëri reflekton politikën pa kauzë shtetërore, pa vizion dhe pa guxim”, deklaroi Hoti.
Sipas tij, kauza e vetme për të cilën duhet protestuar deri në rrëzimin e Qeverisë Kurti është gazi amerikan.
“Nuk bëhet fjalë për një projekt të zakonshëm ekonomik, por për orientimin gjeopolitik të Kosovës, për sigurinë energjetike dhe për aleancën tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Heshtja përballë një dëmi të tillë nuk është neutralitet – është bashkëfajësi“, ka thënë më tej ai.
Postimi:
1. Pse Kurti e refuzon projektin e gazit amerikan, në situatën kur të gjitha vendet e rajonit po përfshihen në këtë projekt strategjik për të dalë nga sfera e ndikimit rus?
2. Pse Kurti nuk ka bërë absolutisht asgjë në gjashtë vite të qeverisjes së tij sa i përket ndërtimit të kapaciteteve të reja energjetike?
3. Kujt i intereson që Kosova të vijojë të jetë e varur nga importi i energjisë?
Këto besoj se janë pyetjet thelbësore për secilin politikan dhe secilin qytetar.
Është për keqardhje të shohësh sa me lehtësi e tejkalojnë këtë temë disa opozitarë, të cilët mjaftohen me përdorimin e saj vetëm në kohë zgjedhjesh.
Nëse ekziston kauzë për të cilën duhet dalë në rrugë në protesta demokratike deri në largimin e kësaj qeverie është ky projekt i gazit.
Nuk bëhet fjalë për një projekt të zakonshëm ekonomik, por për orientimin gjeopolitik të Kosovës, për sigurinë energjetike dhe për aleancën tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Heshtja përballë një dëmi të tillë nuk është neutralitet – është bashkëfajësi.
Kauzë për të protestuar deri në largimin e qeverisë ka qenë gjithashtu edhe suspendimi i Kosovës nga stërvitja ushtarake “Defender Europe ‘23” në vitin 2023, si dhe pezullimi i dialogut strategjik Kosovë-SHBA në shtator 2025.
Por kur i gjithë aktiviteti opozitar organizohet rreth kapjes së posteve shtetërore, e jo rreth kauzave dhe interesit shtetëror, atëherë rezultati i zgjedhjeve është ky që e pamë të dielën e kaluar – rezultat që në përpikëri reflekton politikën pa kauzë shtetërore, pa vizion dhe pa guxim.