Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj situatës së krijuar rreth konstituimit të Kuvendit dhe zhbllokimit të institucioneve në Kosovë.
Bajrami ka kritikuar qasjen politike që, sipas saj, po e mban vendin pa institucione legjitime që nga dhjetori i vitit 2024. Ajo ka thënë se arsyetimet për moskonstituimin e Kuvendit janë “banale” dhe se vendi po shtyhet vazhdimisht drejt zgjedhjeve të reja.
“Që tri herë zgjedhje, për të shkuar prapë në zgjedhje. Pse?”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka përmendur edhe deklaratat se Kuvendi nuk mund të konstituohet pa një marrëveshje politike, pasi një veprim i tillë, sipas saj, do ta çonte vendin në zgjedhje.
“Po nëse nuk e konstituoni Kuvendin, vendi prapë shkon në zgjedhje. Atëherë, çfarë po përpiqeni të shmangni?”, ka pyetur deputetja e LDK-së.
Bajrami ka shprehur kritika edhe për pasojat që, sipas saj, ka sjellë mungesa e institucioneve funksionale në vend.
“E derisa kjo sagë vazhdon dhe tolerohet, nuk ka pothuajse asnjë sferë të jetës në Kosovë që nuk ka degraduar, asnjë të vetme”, ka deklaruar ajo.
Bajrami i ka drejtuar disa pyetje liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke kërkuar të dijë se cilat janë synimet e tij dhe kujt i shërben, sipas saj, një Kosovë pa Kuvend funksional dhe institucione legjitime.
“Çka po don Albin Kurti? Pse po e shtyn vendin vazhdimisht drejt zgjedhjeve? Kujt i shërben një Kosovë pa Kuvend funksional dhe pa institucione legjitime?”, ka shkruar ajo.
“Që tri herë po shkojmë në zgjedhje, për të përfunduar përsëri në zgjedhje. Pse?”, shkroi Bajrami.
