Historiani dhe ish-diplomati Ylber Hysa e theksoi se rënia e Aleksandar Vucic në Beograd prodhon efekte pozitive në rajon sidomos për Kroacinë dhe Malin e Zi të cilët përfitojnë nga qeveria e re serbe që pritet të formohet nga ‘Lista Studentore’ në Boegrad por Kosova duhet të ketë kujdes të shtuar në diplomacinë e saj rreth Dialogut pasi ky ekzektuvi i ri serb do ta ketë simpatinë e Brukselit.
Të mërkurën ish ambasadori i Kosovës në Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut, Hysa në DTV paralajmëroi se Bashkimi Evropian është i investuar në nismën politike serbe që rrëzoi paradigmën e Aleksandar Vucic në Serbi dhe do t’u ndihmojë në procesin e konsolidimit të pushtetit në ekzekutiv.
Ai theksoi se ishte pozitive rënie e Vucic në Serbi pasi kishin arritur që të depërtonin e të lobonin në administratën amerikane të Trump por nënvizoi se kjo jo domosdo paraqet pozitivitet në procesin e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga BE i cili nuk do të tejkalojë me lehtësi qasjen dhe diplomacinë agresive të deritanishme të Kosovës ndaj serbëve dhe Dialogut.
“Përkundrazi, për diplomacinë tonë kjo çfarëdo lloj përpjekje të vazhdojë avazin siç ishte që të tregoheshin më agresiv e më trim ndaj serbëve të Kosovës, sidomos në Veri do të pritet me shumë reagime nga Brukesli dhe vendet evropiane. Të gjithë do e përkëdhelin dhe do i kushtojnë kohë e vëmendje qeverisë së re serbe dhe nuk do të lejojnë provokime nga anash. Kjo e bën Kosovën që të mendohet seriozisht se çfarë qasje do të ketë” theksoi ai.
Hysa e përmendi se pritjet janë që ekzekutivi i ri në Serbi do të përbëhet nga një përzierje ekspertësh dhe poltikës që do të ketë ndihmën e BE’së për t’u konsoliduar. Ajo ku duhet përqendruar për të parë në të ardhmen është si do të ndahen taborret brenda vetë ‘Listës Studentore’ në Kuvendin e Serbisë ku ka influenca të ndryshme që do të jetë sinjal i drejtimit politik të Serbisë.
