Komuna e Prishtinës ka njoftuar se sonte, më 18 qershor nga ora 20:00, fillon faza e parë e dezinsektimit hapësinor në territorin e kryeqytetit për vitin 2025.
Spërkatja kundër mickojave zakonisht realizohet çdo vit në muajin qershor përmes një tenderi të rregullt. Por këtë vit, Komunës i ka dështuar realizimi me kohë i këtij tenderi. Më 4 prill 2025, Komuna kishte hapur një tender me vlerë të madhe – rreth 800 mijë euro – për realizimin e shërbimeve të dezinsektimit për tre vite. Megjithatë, procedura është bllokuar nga një ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Një kompani pjesëmarrëse në garë ka pretenduar se Komuna ka vendosur kritere të jashtëligjshme në dosjen e tenderit, dhe për këtë arsye çështja ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar nga Paneli i OSHP-së.
Në mungesë të një kontrate të rregullt, Komuna ka vendosur ta realizojë fazën e parë të spërkatjes përmes procedurës me negocim të drejtpërdrejtë, duke kontraktuar kompanitë “Truly Nolen SH.P.K.” dhe “EKOLOGJIA SH.P.K.”. Vlera e kësaj kontrate të negociuar është rreth 200 mijë euro dhe përfshin vetëm fazën e parë të dezinsektimit, e cila do të përmbyllet më 23 qershor.

Ky veprim ngre dyshime për planifikimin dhe menaxhimin e kontratave të rëndësishme në nivel komunal, veçanërisht kur bëhet fjalë për shërbime që prekin drejtpërdrejt shëndetin publik dhe cilësinë e jetës në kryeqytet, ndërkohë që Komuna po vepron me kontrata të parregullta dhe pa konkurrencë.
Ky nuk është rasti i parë kur procesi i prokurimit për dezinsektim në Prishtinë has në vështirësi. Edhe në vitet e kaluara ka pasur vonesa dhe procedura të kontestuara, përfshirë ndryshime të shpeshta të kompanive përmes tenderëve të shkurtër ose ankimime në OSHP.
