Detaje të reja dhe tronditëse kanë dalë në dritë nga rasti i tentim-vrasjes që ndodhi mëngjesin e së premtes në Ferizaj. Një 16-vjeçar ka terrorizuar qytetarët në qendër të qytetit, i ka hedhur benzinë vetes mbi trup dhe ka plagosur një zyrtar policor përpara se të vihej në pranga.
Sipas njoftimit zyrtar nga Policia e Kosovës, ngjarja ka nisur rreth orës 07:50, kur u pranua informacioni se një person po sulmonte qytetarët me thikë në sheshin e qytetit.
Si pasojë, një person ka mbetur i lënduar nga mjeti i mprehtë, ndërsa një tjetër ka pësuar lëndime gjatë përpjekjes për t’u larguar nga i dyshuari.
Pas sulmit në shesh, i dyshuari ishte larguar me shpejtësi.
Hetuesit rajonalë arritën ta lokalizonin atë fillimisht në banesën e tij dhe më pas në një adresë në fshatin Greme. Megjithatë, ndërhyrja për arrestimin e tij u shndërrua në një skenë të vërtetë drame.
“I dyshuari ka refuzuar t’u bindet urdhrave policorë, duke mbajtur një thikë në dorë, ka sulmuar zyrtarët policorë me gurë dhe mjete të forta, si dhe është vërsulur ndaj tyre me thikë. Në një moment, i dyshuari ka marrë një shishe me benzinë dhe ia ka hedhur vetes mbi trup, duke vazhduar t’i kërcënojë policët,” thuhet në komunikatën e Policisë.
Në këtë përleshje e sipër, situata është rënduar edhe më shumë kur nëna e të miturit ka ndërhyrë duke penguar policinë në kryerjen e detyrës.
Si pasojë e rezistencës së dhunshme, tre zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime, ku njëri prej tyre është goditur me thikë në pjesën e qafës.
Pavarësisht rrezikut të lartë, Policia ka arritur ta vërë nën kontroll situatën.
I dyshuari i mitur me inicialet P.GJ (16 vjeç) është arrestuar, ndërsa në pranga ka përfunduar edhe nëna e tij, D.GJ (47 vjeçe).
Në vendin e ngjarjes është sekuestruar thika e përdorur në sulm. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, 16-vjeçari është dërguar në mbajtje për 24 orë, ndërsa hetimet e mëtejshme po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të motiveve të këtij rasti të rëndë.
