Eksperti i sigurisë, Avni Islami, ka reaguar pas deklaratave të drejtorit të të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë dhe Metohi në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ndaj ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Islami e ndërlidh reagimin e Petkoviqit me aksionin e institucioneve të Kosovës për zbulimin dhe konfiskimin e një sasie të madhe armatimi në veri të vendit.
Sipas Islamit, pretendimet e Petkoviqit se konferenca e Sveçlës në Zubin Potok ishte “sajim” synojnë të minimizojnë rëndësinë e aksionit të organeve të sigurisë dhe ta zhvendosin vëmendjen te akuzat e Beogradit ndaj Policisë së Kosovës.
“Ky reagim nuk është thjesht një reagim mediatik, por pjesë e një lufte asimetrike hibride për kontrollin e narrativës ndërkombëtare”, ka shkruar Islami.
Ai vlerëson se, përmes deklaratave të tilla, Beogradi synon që operacionet e institucioneve të Kosovës kundër kriminalitetit të organizuar t’i paraqesë si presion ndaj komunitetit serb.
Postimi i plotë:
I ashtuquajturi drejtor i Zyrës për Kosovë dhe Metohi në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar ndaj Ministrit të Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, z. Xhelal Sveçla. Ky reagim erdhi menjëherë pas goditjes që mori Beogradi zyrtar nga zbulimi dhe konfiskimi i një arsenali të madh armatimi në veri të vendit.
Për të minimizuar rëndësinë e këtij suksesi operacional në fushën e sigurisë, Petkoviq pretendoi se konferenca e Sveçlës në Zubin Potok ishte një “sajim”. Sipas tij, ky veprim synonte të largonte vëmendjen nga akuzat e Beogradit ndaj Policisë së Kosovës për gjoja keqtrajtime dhe arrestime të komunitetit serb.
Kjo deklaratë e Petkoviqit nuk është thjesht një reagim mediatik, por pjesë e një lufe asimetrike hibride për kontrollin e narrativës ndërkombëtare. Ndërsa institucionet e sigurisë së Kosovës dëshmojnë me fakte sundimin e ligjit dhe luftën ndaj kriminalitetit të organizuar, Beogradi përpiqet t’i keqinterpretojë këto aksione legjitime si “presion sistematik” ndaj serbëve lokalë.
Në këtë mënyrë, çdo incident apo operacion sigurie kthehet menjëherë në një instrument të luftës politike dhe diplomatike. Megjithatë, frazat e konsumuara dhe manipulimet e sajuara nga pushteti autokratik dhe shovinist i Vuçiqit tashmë e kanë humbur peshën dhe besueshmërinë përpara bashkësisë ndërkombëtare, e cila po e njeh gjithnjë e më mirë strategjinë e tyre të dezinformimit.
Kosova mbetet e palëkundur në mbrojtjen e sovranitetit dhe sigurisë kombëtare!