Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), Spitali Universitar i Pisës në Itali dhe Shoqata “Nicola Ciardelli” kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e hematologjisë pediatrike dhe onkologjisë.
Në ceremoninë e nënshkrimit mori pjesë edhe ambasadori i Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, bëri të ditur Ambasada Italiane në Prishtinë përmes një njoftimi.
Sipas ambasadës, marrëveshja synon krijimin e mundësive të reja për trajnimin e profesionistëve shëndetësorë dhe shkëmbimin e njohurive ndërmjet institucioneve përkatëse.
Ky bashkëpunim pritet të kontribuojë në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për pacientët e vegjël dhe familjet e tyre, veçanërisht në trajtimin e sëmundjeve hematologjike dhe onkologjike.
Ambasada Italiane ka theksuar se Italia mbetet e përkushtuar për të mbështetur sistemin shëndetësor të Kosovës, duke falënderuar të gjithë të përfshirët për angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme.
