Në Dhomat e Specializuara në Hagë po dëgjohet dëshmia e James Rubin, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte ndihmëssekretar amerikan i Shtetit. Dëshmia e tij është në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Ai në gjykatore është i shoqëruar nga dy përfaqësuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai ka treguar para trupit gjykues se gjatë periudhës 1997-2000 ka shërbyer si ndihmëssekretar i Shtetit për çështjet publike dhe si zëdhënësi kryesor që ka raportuar drejtpërsëdrejti përpara sekretares së shtetit, Madeleine Albright. Gjatë angazhimit për konferencën e Rambujesë, Rubin ka thënë se është takuar disa herë me Thaçin, për të cilin tha se “ishte i shqetësuar që nuk do ta kishte autoritetin ose lejen e plotë për ta nënshkruar marrëveshjen e Rambujesë”.
Gjatë dëshmisë së tij, Rubin është i shoqëruar nga dy përfaqësuese të Shtete të Bashkuara të Amerikës.
Për dëshminë e tij janë paraparë katër orë nga mbrojtja, katër nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, dhe tri orë e gjysmë nga të tjerët.
Në fillim të dëgjimit të dëshmitarit, avokati i Thaçit, Luka Misetiç tha Rubin i kishte raportuar sekretares së Shtetit, Madeleine Albright.
James Rubin, është dëshmitari i parë i mbrojtjes së Thaçit, e cila ka paraparë që në gjykatore t’i sjell rreth 11 dëshmitarë.
Më pas, procesi gjyqësor do të vazhdojë me dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.
Bashkë me Thaçin dhe Krasniqin, po gjykohen edhe ish-kryekuvendari Kadri Veseli dhe ish-deputeti Rexhep Selimi. Avokatët e tyre nuk synojnë të paraqesin dëshmi mbrojtëse. Zyra e Prokurorit të Specializuar i ngarkon ata me krime të pretenduara të luftës. ZPS-ja ka thënë se ata ishin pjesë e “një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.
Në anën tjetër, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Paraqitja e provave të mbrojtjes vjen katër muaj pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar përfundoi me dëshmitarët e saj dhe e mbylli çështjen. Prokuroria i pati sjell 125 dëshmitarë në sallë dhe është mbështetur në mbi 130 dëshmi ne shkrim.
Mbrojtja e katërshes së UÇK-së i mohon akuzat dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk ka pasur strukturë të organizuar komanduese.
Aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ishte bërë publike vjeshtën e vitit 2020. Prej atëherë, ata qëndrojnë në qendrën e paraburgimit në Sheveningen të Hagës. Gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill të vitit 2023.
Gjyqtarët në Speciale presin që mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së të paraqesë shkresat përfundimtare deri më 22 dhjetor të këtij viti.
