Analisti politik Jeton Zogjani, në emisionin “Forum” në DTV Media, ka kritikuar opozitën për mungesën e reagimit lidhur me rrezikun e humbjes së organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030.
Zogjani ka thënë se opozita nuk po funksionon siç duhet, ndërsa ka vënë në pah se disa deputetë nuk dinë as si t’u referohen këtyre garave, duke i ngatërruar me Lojërat Olimpike, ndonëse bëhet fjalë për Lojërat Mesdhetare.
Sipas tij, ekziston rreziku që Kosova ta humbasë organizimin e tyre, me mundësinë që ato të zhvendosen në Katar, ndërsa opozita nuk ka reaguar për këtë çështje.
Ai ka përmendur edhe deklarimin e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, i cili kishte propozuar që lojërat të emërtohen “Lojërat Albin Kurti 2030”, vetëm që të mos humbet mundësia për organizimin e tyre.
Zogjani ka kritikuar gjithashtu mënyrën se si opozita po përpiqet të fitojë mbështetjen e qytetarëve, duke thënë se zgjedhjet nuk fitohen me veshje të shtrenjta.
“Opozita nuk mundet me i fitu zgjedhjet me kat të teshave 2 mijë euro. Albin Kurti i ka fituar zgjedhjet me një jelek”, është shprehur Zogjani në “Forum” të DTV Media.
