DTV MEDIA
  • Ballina
  • Lajme
  • Sport
  • Showbiz
  • Botë
  • Opinione
  • TV
  • Shpallje
  • Konkurs
  • Zgjedhjet2025
No Result
View All Result
DTV MEDIA
  • Ballina
  • Lajme
  • Sport
  • Showbiz
  • Botë
  • Opinione
  • TV
  • Shpallje
  • Konkurs
  • Zgjedhjet2025
No Result
View All Result
DTV MEDIA
No Result
View All Result

“Kapeni hajnin”

9 Maj 2026
A A
“Kapeni hajnin”
Share on Facebook

Nga Fadil Lepaja

Po e dini për kë e kam fjalën? Një hajn, pasi kishte vjedhur një dyqan, u fut në turmë. Të gjithë po thërrisnin “Kapeni hajnin!” Ai ishte më i zëshmi. Kush? Ai, de …

Dyqani, në këtë rast, është populli, e për hajnin ka debate publike. Hapeni cilindo medium dhe bëni tifozin. Pastaj votoni në zgjedhjet e radhës. Kësaj radhe do të votohet për kuorum, jo për shumicën parlamentare. Nejse…

Edhe kryeministri aktual, me 16 euro në xhep, po akuzohet se ka vjedhur. Kur e thonë “të gjithë”, diçka duhet të ketë. Po e thonë njerëz me moral si liderët e opozitës, deputetë, intelektualë të varur e të pavarur. Ka vjedhur pra, as mos e diskuto. Pyetja shtrohet jo nëse vodhi, por çfarë.

Çfarë vodhi ai? Të ketë mbetur gjë për t’u vjedhur? Çfarë kishte për t’u vjedhur, ishte vjedhur më herët. U quajt privatizim. U bë me ligj, madje edhe nën mbikëqyrjen ndërkombëtare. Ku ndërkombëtarët, ku ne. Ndërkombëtarët janë “lopa jonë e shenjët”.

Por, Kurti duket se vodhi ide, e qe besa edhe mite. Duhet dërguar në gjykatë, atë të historisë.

Kurti vodhi rugovizmin e LDK-së dhe ia ktheu LDK-së Vjosën; vodhi nga Familja Jashari legjendën e tyre dhe ua ktheu atyre Muratin e bacin Rifat; vodhi nga PDK-ja dhe AAK-ja narrativën e luftës dhe UÇK-së dhe ua ktheu këtyre partive Thaçin dhe Ramushin. Ua ktheu edhe UÇK-në. Ndali vetëm te meritat për luftën.

Për këtë hajni, Albini mund të gjykohet vetëm në zgjedhjet e ardhshme, të cilat, edhe pse formalisht të parakohshme e logjikisht të paskohshme, prapëseprapë do të jenë një test për legjitimitetin e narrativës së tij. Qytetarët mund të ja japin votën, por vështirë se ja japin kuorumin.

Kështu, patriotizmi kushtetues i Habermasit duket se është paketimi me të cilin Kurti po përpiqet të mbështjellë mallin e vjedhur. Duket si një përpjekje për të ecur përtej miteve lokale: ai po i mbledh mitet në një muze të përbashkët, duke i vjedhur ato, në pikë të ditës, nga “trashëgimtarët” biologjikë, historikë apo politikë.

Kjo përballje mes trashëgimtarëve dhe miteve ka sjellë pyetjen e madhe: kush mund të flasë sot në emër të Rugovës, Jasharajve dhe UÇK-së? A janë trashëgimtarët biologjikë, ata historikë, apo shteti dhe populli? I vendosi në themele të shtetit këto mite dhe legjenda, apo i vodhi për vete dhe për partinë e tij? Çfarë po mbetet Kurti në këtë rast: hajn ordiner apo Robin Hud?

Slogani i Rugovës “Liri, pavarësi, demokraci” ishte formula e të gjithëve, në fakt. Gjithçka tjetër ishte luftë për pushtet. Çdo përballje jashtë kësaj formule, ishte luftë interesash, e tash kjo quhet fushatë. Parazgjedhore apo pas, njëjtë. Tash, të gjithë po thërrasin: “Kapeni hajnin!”

Në këtë kontekst, zgjedhjet nuk janë thjesht një garë për pushtet, por një provë ekzistenciale për opozitën: a ka aftësi të gjejë rishtas gjuhën dhe lidhjen me qytetarët me një narrativë të kohës? A do të ofrojë një narrativë të re, apo do të vazhdojë të shpenzojë, me kursime e luftëra të brendshme, atë kapital të trashëguar nga e kaluara?

Dilema është krejt e thjeshtë: A do populli ndryshim, apo ndryshimi tashmë ka ndodhur? Sot opozita përbëhet nga liderë të rinj me ide të vjetra, liderë pa ide, vetëm me interesa, ose nga liderë të vjetër që nuk ndryshojnë. Dhe e vërteta është se nuk mjafton më as një lider i ri, nëse nuk sjell një narrativë të re.

Paradoksalisht, një opozitë e re, që sheh përtej partive dhe grupeve, që do të rindërtonte edhe idealizmin e djathtë e të qendrës, do të shpëtonte edhe Kurtin nga populizmi dhe nga entropia që tashmë e ka kapur edhe lëvizjen që ai udhëheq. Pavarësisht për çfarë lëvizje apo ideje bëhet fjalë, pas dy mandatesh në qeverisje, interesat e partizanëve e rrëzojnë partinë, lufta mes idesë dhe interesave të grupeve e thyen një lëvizje ose e bën atë populiste. Populizmi është fshehje e të gjitha të palarave, pas një emri të besueshëm.

Një lëvizje me retorikë idealiste e cila përqendrohet e tëra te lideri, dhe argumentin e vetëm e ka mençurinë e tij, është kapur tashmë nga interesat. Kosova ka nevojë jo vetëm për një opozitë të re, por edhe për një narrativë të re, opozitare. Ka nevojë për liderë opozitarë që kaliten duke luftuar kundër narrativës apo praktikave të kësaj qeverie, ashtu si u kalit dhe formësua Vetëvendosja, kundër qeverisjes së opozitës së tashme. Nëse nuk ndodhë kjo, opozita e tanishme do të mbijetojnë duke e hëngër me kafshore të vogla, kapitalin e trashëguar historik.

Rugova, UÇK, dhe Jasharajt janë tashmë në themele të shtetit dhe nuk duhen keqpërdorur në luftë për pushtet. Ata i përkasin historisë, e lufta për të shkruar librat e historisë për klasat e ulëta e të larta, është bërë po aq e paqartë sa edhe fushata paraelektorale.

Në fund fare, do të pyeteni, përse asnjëherë nuk e kam futur në thonjëza fjalën “hajn”. E kam lënë që të vendosni ju … Me votë apo me kuorum.

DTV MEDIA

Televizioni DTV është një medium i pavarur që shtrihet në gjithë territorin e Kosovës, përmes platformave kabllore televizive, si dhe në Evropë, Amerikë dhe vendet e tjera të Botës përmes IPTV-ve.
Lëxo më shumë

KATEGORITË

  • Botë (1 542)
  • Konkurs (3)
  • Lajme (21 374)
  • Opinione (38)
  • Showbiz (145)
  • Shpallje (1)
  • Sport (314)
  • TV (73)
  • Zgjedhjet 2025 (1 095)
  • Rreth nesh
  • Reklama
  • Privatësia dhe Politika
  • Contact

DTV MEDIA © 2025 Të gjithat e drejtat e rezervuara. | Developed by: Nestcheap.com

No Result
View All Result
  • Ballina
  • Lajme
  • Sport
  • Showbiz
  • Botë
  • Opinione
  • TV
  • Shpallje
  • Konkurs
  • Zgjedhjet

DTV MEDIA © 2025 Të gjithat e drejtat e rezervuara. | Developed by: Nestcheap.com