Në një nga trajnimet më prestigjioze të forcave ushtarake amerikane, “Military Police Captain Career Course”, po merr pjesë edhe një emër i njohur nga Hajvalia: Kapiten Meriton Haxholli, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Meritoni është i vetmi përfaqësues i Kosovës dhe i FSK-së në këtë trajnim gjashtëmujor, ku të gjithë pjesëmarrësit e tjerë janë ushtarakë amerikanë. Përveç përgatitjes për avancim në gradën major, ai ka marrë përsipër edhe një mision tjetër të rëndësishëm: të prezantojë historinë, kulturën dhe rezistencën e popullit tonë.

Në një prezantim të veçantë, ai ka folur për Kosovën, flamurin tonë, dhe mbi të gjitha – për figurën e Adem Jasharit dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Duke treguar vendosmërinë e popullit tonë për liri, ai ka ngjallur interes e respekt te pjesëtarët amerikanë të kursit.
Ky nuk është vetëm një trajnim profesional – është një mision përfaqësimi, ku përmes uniformës, dinjitetit dhe përkushtimit, Meriton Haxholli po nderon emrin e Kosovës në një ambient ushtarak ndërkombëtar.
Hajvalia, vendlindja e tij, ka arsye për t’u krenuar. Kosova gjithashtu. Sepse djem si Meriton Haxholli janë ambasadorë të vërtetë të vlerave tona, brenda dhe jashtë vendit.
Lavdi atyre që sollën lirinë. Nderim atyre që mbrojnë shtetin.
