Ushtarët bullgarë të KFOR-it kanë përfunduar të premten ushtrimin pesë ditor në zonën e Dragashit, i cili kishte për qëllim përmirësimin e kapaciteteve të mbikëqyrjes.
Lajmin e bëri të ditur KFOR-i përmes një komunikate për media.
“Qëllimi i ushtrimit ishte përmirësimi i kapaciteteve të mbikëqyrjes përmes një kombinimi të patrullimeve me mjete lëvizëse dhe patrullimeve këmbësore, duke siguruar efektivitetin operacional të KFOR-it në monitorimin dhe kontrollin e zonës”, thuhet në komunikatë.
KFOR rikujton se vazhdon të zbatojë mandatin e tij me qëllim garantimin e një ambienti të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët në Kosovë, si dhe lirinë e lëvizjes. KFOR potencon se bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në kuadër të roleve të tyre si mekanizma kyç të sigurisë në vend.
