Dogana e Kosovës, në Zyrën Doganore në Vërmicë, ka identifikuar një rast të manipulimit me kodin tarifor për një ngarkesë prej 21 mijë eurosh .
Insajderi nga burimet e veta ka mësuar se bëhet fjalë për kompaninë UNITEDMED.
Kompania kishte tentuar t’i shmangej licencës obligative të importit dhe taksave reale duke deklaruar një kod me vetëm 8% detyrime. Pas kontrollit, malli doli se kërkonte licencim nga organet mbikëqyrëse dhe i nënshtrohej taksës 10% doganë plus 18% TVSH.
Kjo është komunikata e plotë e Doganës:
Vërmicë, 4 nëntor 2026 – Dogana e Kosovës, gjatë kontrolleve të rregullta të mallrave për import në Zyrën e Brendshme Doganore në Vërmicë, ka identifikuar një rast të deklarimit të pasaktë të kodit tarifor të mallit, me qëllim të shmangies së detyrimeve doganore dhe kërkesave ligjore për import.
Gjatë verifikimit të deklaratës unike doganore dhe kontrollit të dokumentacionit përcjellës, zyrtarët doganorë kanë identifikuar mospërputhje në klasifikimin tarifor të mallit. Sipas deklarimit fillestar, malli ishte klasifikuar në një kod tarifor që nuk kërkonte licencë për import dhe për të cilin aplikoheshin vetëm 8% detyrime importi.
Megjithatë, pas verifikimit dhe përcaktimit të saktë të kodit tarifor, është konstatuar se malli i nënshtrohet kërkesës për licencë importi nga organet kompetente mbikëqyrëse, si dhe detyrimeve përkatëse prej 10% taksë doganore dhe 18% TVSH.
Vlera e mallit, pa përfshirë detyrimet e importit, është rreth 21,000 euro.
Nga veprimet e ndërmarra është konstatuar se deklarimi i pasaktë i kodit tarifor përbën kundërvajtje doganore, pasi përmes klasifikimit të gabuar është tentuar shmangia e detyrimeve të importit dhe e kërkesave ligjore për pajisjen me licencë përkatëse.
Përveç aspektit fiskal, respektimi i kërkesave për licencim dhe kontroll nga institucionet kompetente është i rëndësishëm edhe për mbrojtjen e shëndetit publik. Importimi i produkteve pa mbikëqyrjen dhe autorizimin e nevojshëm nga organet përgjegjëse mund të paraqesë rrezik për shëndetin e qytetarëve.
Dogana e Kosovës vazhdon të intensifikojë kontrollet dhe verifikimet e deklarimeve doganore, me qëllim të parandalimit të parregullsive, mbrojtjes së interesave financiare të shtetit, sigurisë së qytetarëve dhe garantimit të konkurrencës së drejtë në treg.
