Operatorët privatë të transportit urban në Prishtinë po përballen me vështirësi serioze financiare për shkak të borxheve të papaguara nga Komuna e Prishtinës, të cilat sipas burimeve nga sektori kapin vlerën e qindra mijëra eurove.
Sipas përfaqësuesve të disa kompanive të transportit, pagesat e parapara me kontratë nuk janë realizuar për 4 muaj me radhë, duke rrezikuar vazhdimin e shërbimeve të rregullta për qytetarët, si dhe pagat e punëtorëve dhe mirëmbajtjen e autobusëve.
“Jemi duke operuar me humbje. Kemi paga të prapambetura, furnitorë që presin pagesa dhe një komunë që nuk jep asnjë përgjigje të qartë,” – tha për DTV një përfaqësues i njërit prej operatorëve privatë, që kërkoi të mbetet anonim.
Nga zyra e kryetarit të Komunës nuk ka ende një qëndrim zyrtar lidhur me këtë çështje, përkundër interesimit të mediave.
Sindikata e punëtorëve të transportit ka paralajmëruar se nëse pagesat nuk realizohen brenda muajit gusht, mund të ketë probleme serioze në operimin e tyre si kompani.
