Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka reaguar pas debatit të shkaktuar nga mundësia e hapjes së një Konsullate të Përgjithshme të Shqipërisë në Luginën e Preshevës dhe një Konsullate të Përgjithshme të Serbisë në Shkodër.
Përmes një reagimi në rrjetin social X, Hoxha theksoi se prioriteti i Shqipërisë mbetet hapja e një përfaqësie të përhershme konsullore në Luginën e Preshevës, duke bërë të ditur se kjo kërkesë është paraqitur prej kohësh.
Sipas tij, edhe Serbia ka paraqitur kërkesën e saj për hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Shkodër, ndërsa çdo zhvillim në këtë proces do të ndodhë vetëm pasi të ketë dakordësi të plotë mes palëve për të gjitha aspektet.
“Synimi dhe interesi i Shqipërisë është të krijojë më në fund një prani konsullore të përhershme në Luginën e Preshevës, një zhvillim i vonuar në një hapësirë ku jeton një komunitet i rëndësishëm shqiptar. Kjo do të na mundësojë të jemi më pranë qytetarëve shqiptarë, t’i mbështesim më drejtpërdrejt dhe të mbrojmë interesat e tyre legjitime,” ka shkruar Hoxha.
Ministri theksoi se reciprociteti është një parim themelor i marrëdhënieve diplomatike dhe nuk duhet interpretuar si një barazim mekanik i interesave apo objektivave të dy shteteve.
Ai kritikoi reagimet që janë fokusuar te mundësia e hapjes së konsullatës serbe në Shkodër, duke vlerësuar se është lënë në hije përfitimi që do të sillte për shqiptarët e Luginës së Preshevës krijimi i një përfaqësie diplomatike shqiptare.
Në fund, Hoxha nënvizoi se politika e jashtme e Shqipërisë mbështetet në interesin kombëtar, respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe vlerave evropiane, e jo në emocione apo perceptime.
“Ky është standardi ynë sot, por edhe standardi që Shqipëria synon të mbajë si vendi i ardhshëm anëtar i Bashkimit Evropian. Ne jemi të vendosur ta përfaqësojmë këtë qasje në çdo vendimmarrje të politikës sonë të jashtme”, ka thënë kryediplomati shqiptar.
