Kryeprokurori aktual, Zejnullah Gashi, u detyrua të tërhiqej nga një prej rasteve më të mëdha korruptive të viteve të fundit, ai i Sami Mazrekut në Byronë Kombëtare të Sigurimeve, pasi ish-drejtori i këtij institucioni e kishte punësuar aty vajzën e Gashit.
Një dokument zyrtar, të sigruar nga Paparaci, dëshmon se Kryeprokurori i ri i Shtetit, Zejnullah Gashi ishte në konflikt interesi në një nga aferat më të mëdha korruptive të viteve të fundit.
I dekretuari të martën nga u.d. presidentja Albulena Haxhiu në detyrën e kryeprokurorit, ishte tërhequr vitin e kaluar nga trajtimi i aferës së korrupsionit masiv financiar në Byronë Kosovare të Sigurimeve.
Aio përmes një kërkese që ia kishte drejtuar ish u.d. kryeprokurorit Besim Kelmendi, kishte pranuar se vajza e tij ishte punësuar në Byronë e Sigurimeve gjatë periudhës kur ky institucion drejtohej nga Sami Mazreku, i dyshuari kryesor në këtë aferë.
Mazreku, i cili udhëhoqi BKS-në në vitet 2021-2024, dyshohej edhe për punësime ilegale – pa konkurs – tregojnë raportet e auditimit të brendshëm në byro.
I gjendur në konflikt interesi, Gashi kishte kërkuar nga Kelmendi që kallëzimi penal ndaj Mazrekut dhe të dyshuarve të tjerë të mos trajtohej nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Shkresa zyrtare ishte dorëzuar në mars të vitit të kaluar.
“I nderuar U.D. Kryeprokuror i Shtetit z. Kelmendi, me datë 26.03.2025 në zyrën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, është pranuar vendimi juaj me numër A.nr. 153/2025, përmes së cilës lëndën e evidentuar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës me numër A.nr. 57/25, e keni deleguar në juridiksion të Prokurorisë Themelore në Prishtinë”, e kishte njoftuar Gashi, ish U.D. kryeprokurorin Kelmendi.
Gashi kishte një kërkesë: lënda korruptive e Sami Mazrekut t’i bartej një prokurorie tjetër.
“Pas pranimit të vendimit tuaj, si dhe pas analizimit të kallëzimit penal të parashtruar nga Byroja Kosovare e Sigurimit, të cilën sipas autorizimit i përfaqëson av. Arianit Koci dhe Granit Vokshi ndaj të dyshuarve Sami Mazreku etj, për shkak të veprave penale Keqpërdorimi i Besimit, Mashtrimi si dhe ndihma për veprat penale Keqpërdorimi i Besimit dhe Mashtrimi, e parashtroj këtë kërkesë me qëllim që kompetente lidhur me këtë lëndë të caktohet ndonjëra nga prokuroritë e tjera të Republikës së Kosovës”, thuhej në kërkesën e Gashit.

Në kërkesë, ish-kryeprokurori i Prishtinës kishte zbuluar se vajza e tij, Blinera Gashi, ishte punësuar në Byronë e Sigurimeve pikërisht “në kohën kur drejtor ekzekutiv i byrosë” ishte i dyshuari për keqpërdorime masive brenda shoqatës.
“Kjo duke pasur parasysh faktin që vajza ime, Blinera Gashi, është e punësuar në Byronë Kosovare të Sigurimit, si dhe e njëjta është e pranuar në punë pikërisht në kohën kur drejtor ekzekutiv i byrosë ka qenë këtu i dyshuari Sami Mazreku”, e kishte lajmëruar ai, të mandatuarin asokohe si udhëheq të Prokurorisë së Shtetit.
Kërkesa e Gashit ishte miratuar.
Vitin e kaluar, rasti i Mazrekut dhe të tjerëve i kishte kaluar Prokurorisë Themelore në Prizren, pasi që fillimisht ishte deleguar në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.
