Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar se kryetarët e komunave të Kosovës do të organizojnë protestë në shtator para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka thënë se kryetarët e komunave janë bërë bashkë kundër, siç pretendon ai, “shkeljes së vazhdueshme të ligjit” dhe qasjes së Qeverisë Kurti ndaj pushtetit lokal.
“Sot, të gjithë kryetarët e komunave jemi bashkë. Bashkë do të jemi edhe në shtator, në protestë para Qeverisë Kurti!”, ka shkruar Rama.
Ai ka akuzuar Qeverinë se po bllokon mjetet financiare dhe po pengon realizimin e projekteve në komunat që nuk udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje.
Rama ka pretenduar se që nga viti 2022 komunave u janë marrë mbi 344 milionë euro për obligime që, sipas tij, nuk janë krijuar nga komunat.
Sipas tij, përmes bllokimit të mjeteve dhe pengimit të investimeve po tentohet që pushteti lokal të vihet nën presion financiar dhe politik.
“Komunat nuk janë të kryetarëve! Komunat janë të qytetarëve!”, ka deklaruar Rama, duke shtuar se bllokimi i mjeteve të një komune për arsye politike do të dëmtonte drejtpërdrejt qytetarët.
Ai ka kritikuar gjithashtu qasjen e Qeverisë, duke e cilësuar si diskriminuese dhe të rrezikshme për demokracinë.
Deri më tani, bëhet fjalë për një paralajmërim të protestës, ndërsa detajet për datën dhe organizimin e saj pritet të bëhen të ditura më vonë.
