Zyrtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kujtim Gashi, ka njoftuar se nuk do të jetë kandidat për deputet në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.
Përmes një postimi publik, Gashi ka thënë se vendimi i tij vjen pas zhvillimeve dhe zhgënjimit që, sipas tij, kanë mbetur pas zgjedhjeve të fundit në Prizren.
Ai ka deklaruar se ishte e rëndë të shihej sesi “mundi, besimi dhe angazhimi” i shumë njerëzve u vunë në pikëpyetje nga një proces që, sipas tij, nuk është ndjerë i drejtë.
“Për mua politika nuk ka qenë kurrë thjesht pozitë apo ambicie personale. Ka qenë marrëdhënie me njerëzit, besim i ndërsjellë dhe përgjegjësi ndaj secilit që më ka mbështetur në këtë rrugëtim”, ka shkruar Gashi.
Megjithatë, ai ka theksuar se nuk po largohet nga politika dhe as nga angazhimi në PDK, por se ka zgjedhur të kontribuojë në forma të tjera.
“Nuk po largohem. Nuk po dorëzohem. Thjesht po zgjedh që, në këtë periudhë, të kontribuoj ndryshe”, është shprehur ai.
Gashi ka bërë të ditur se do të vazhdojë të mbështesë kandidatët, aktivistët dhe qytetarët që besojnë se Prizreni dhe Kosova meritojnë “më shumë drejtësi, dinjitet dhe shpresë”.
Në fund të reagimit, ai ka falënderuar qytetarët për besimin dhe mbështetjen ndër vite, duke theksuar se përkushtimi i tij ndaj Prizrenit, Kosovës dhe PDK-së mbetet i palëkundur.
