Kryeministri në detyrë dhe kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar sot përmes një shkrimi në rrjetet sociale, pas paraqitjes dhe fjalimit që mbajti mbrëmë para qytetarëve në sheshin e Prishtinës.
Kurti ka shprehur mirënjohje të thellë për mbështetjen e marrë gjatë dhjetë ditëve të fushatës elektoriale, si dhe për secilin votues në Kosovë e në mërgatë që e shfrytëzoi të drejtën e votës.
“Ndonëse numërimi i votave ende nuk është përfunduar, unë falënderoj secilin votues, në Kosovë e mërgatë, që përmes zgjedhjeve demokratike, doli për të votuar dhe shprehu vullnetin e tij përmes votës”, ka shkruar lideri i VV-së.
Në shkrimin e tij, Kurti ka vënë theksin te takimet e shumta të realizuara në terren, duke falënderuar qytetarët që e pritën krahëhapur në çdo cep të Republikës. Ai e ka përmbyllur reagimin duke përsëritur moton e tij politike se puna për konsolidimin e institucioneve do të vazhdojë pa u ndalur.
“Vazhdojmë të punojmë, krejt për shtet, sepse pa dyshim kemi shtet për krejt”, ka shkruar ai.
