Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka sqaruar sot në Kuvend qasjen institucionale ndaj proceseve gjyqësore në Hagë, duke bërë të ditur se i ka ofruar garanci zyrtare Gjykatës Speciale se Kosova ka kapacitete të plota për të mbajtur të akuzuarit në territorin e saj gjatë procedurave.
Gjatë fjalës së tij, Kurti tha se në komunikimin zyrtar me kryetaren e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, ka shprehur qëndrimin se nuk ka asnjë rrezik që do ta pengonte qëndrimin e ish-krerëve të UÇK-së në Kosovë.
Kryeministri bëri të ditur se ekzekutivi ka dhënë vlerësimin e tij zyrtar se kushtet e sigurisë në vend janë të mjaftueshme për lirimin me kusht të të akuzuarve.
“Kam theksuar se nga perspektiva institucionale e Kosovës nuk shohim rreziqe që do të pengonin qëndrimin e të akuzuarve në territorin e vendit tonë gjatë zhvillimit të procedurave, duke garantuar kapacitetin e plotë të institucioneve për të siguruar mbarëvajtjen dhe integritetin e procesit”, deklaroi Kurti.
Ndonëse potencoi se Qeveria nuk ndërhyn në drejtësi, Kurti nuk hezitoi të kritikojë disa nga vendimet e fundit të Gjykatës, të cilat i quajti të padrejta.
“Nuk kemi hezituar të ngremë zërin kundër vendimeve të padrejta, siç ishin moslejimi i ish-presidentit Thaçi për të marrë pjesë në varrimin e babait të tij, si dhe pranimi i dokumenteve të Serbisë si prova në procesin gjyqësor”, u shpreh ai para deputetëve.
Kreu i qeverisë sqaroi se arkitektura juridike e Speciales garanton pavarësinë nga ekzekutivi, gjë që kufizon qasjen e qeverisë në informacione operative. Megjithatë, ai premtoi se do të vazhdojnë të insistojnë për transparencë dhe respektim të të drejtave të njeriut në çdo hap të procesit, duke kërkuar standarde të larta gjykimi.
“Për sa i përket veprimeve konkrete, qeveria mbetet e përkushtuar që në përputhje me kompetencat e saj kushtetuese dhe ligjore: së pari të ngrejë në mënyrë të vazhdueshme çështjen e respektimit të të drejtave të njeriut në komunikimet me partnerët ndërkombëtarë; së dyti të mbështesë çdo iniciativë që rrit transparencën dhe standardet procedurale në këto procese; dhe së treti të sigurojë që çdo shqetësim i ngritur të trajtohet në kuadër të mekanizmave institucionalë përkatës. Ne kemi ngritur zërin dhe do të vazhdojmë të insistojmë që çdo proces të zhvillohet në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare për një gjykim të drejtë, transparent dhe të paanshëm”, u shpreh Kurti.
