Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se po fuqizohet Policia e Kosovës në luftën kundër shpërndarjes së substancave narkotike,
Në konferencën nacionale “Një komunitet pa varësi”, ai ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës e ka të qartë se lufta kundër varësisë kërkon qasje gjithëpërfshirëse dhe të bashkërenduar.
Sipas tij, kjo qasje fillon nga parandalimi dhe vijon me edukimin e ndërgjegjësimin.
“Ne po fuqizojmë Policinë në luftën kundër shpërndarjes së substancave narkotike, ndërkohë që po investojmë në qendra trajtimi dhe programe rehabilitimi për të rinjtë tanë. Një shembull i këtij bashkëpunimi është mbështetja prej afro 39 mijë eurosh, që Ministria e Drejtësisë ka ndarë për organizatën ‘Labirinti’ për vitin 2025, si dhe nga Ministria e Shëndetësisë është rritur përkrahja nga 16 mijë euro në vitin 2023, në 44 mijë euro për vitin 2024, ndërkaq për 30 muajt e ardhshëm janë ndarë afër 60 mijë euro në fushën e edukimit dhe ngritjes së vetëdijes për testim për HIV dhe Hepatit C tek përdoruesit injektues të drogave. Një program i udhëhequr nga peer edukatorët, siç quhet, ku pjesëtarëve të komunitetit iu ofrohet një rol udhëheqës dhe një rol më i fortë mbikëqyrës për komunitetin, po ashtu është pjesë e planit tonë të veprimit që po e zhvillojmë aktualisht. Paralelisht, po investohet për programe parandaluese, edukative dhe shërbime të trajtimit dhe rehabilitimit për përdoruesit e drogave, në mënyrë që të zvogëlohet dëmi shëndetësor dhe social i varësisë. Përmes këtij angazhimi, Kosova synon të ndërtojë një shoqëri më të sigurt dhe më të shëndetshme”, ka thënë Kurti, sipas komunikatës të Zyrës së Kryeministrit.
