Tubimi i organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, i quajtur nga kryetari Lumir Abdixhiku si “tubim i bashkimit”, nuk ka arritur të përfshijë të gjithë figurat e rëndësishme të partisë.
Në këtë ngjarje kanë munguar disa prej emrave më të votuar në zgjedhjet e fundit, përfshirë deputetët Hykmete Bajrami dhe Avdullah Hoti, si dhe Janina Ymeri.
Mungesa e tyre është vërejtur edhe në takimet e mëhershme të kryesisë dhe të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.
Pas tubimit, kryetari Lumir Abdixhiku është pyetur për mungesat, duke theksuar se qëllimi i takimit është bashkimi dhe ofrimi i një ekipi që, sipas tij, i jep Kosovës shpresë dhe zgjidhje konkrete.
“Jam shumë i kënaqur për mbështetjen në këtë tubim. Çështjet tjera janë irelevante. Të gjithë janë pjesë e listës, mos krijoni tema të paqena”, deklaroi Abdixhiku.
Ndërkohë, në ditët e fundit, Avdullah Hoti dhe Hykmete Bajrami kanë shprehur publikisht kritika për rikthimin e Vjosa Osmanit në LDK.
Hoti ka deklaruar se veprimet e saj në të kaluarën kanë shkaktuar dëme të pariparueshme për partinë dhe për vendin, duke i cilësuar ato si “veprime të pabesa ndaj LDK-së”.
Ai ka theksuar gjithashtu se LDK-ja funksionon sipas një rendi të brendshëm dhe se vendimet duhet të respektojnë strukturat dhe vullnetin e votuesve të saj tradicionalë.
Debatet e fundit brenda partisë po shihet se kanë reflektuar ndasi të brendshme në LDK, në prag të zhvillimeve të reja politike.
