I arrestuari i djeshëm për krime lufte në Kosovë është Radisav Kostoviq, rreth 62 vjeç, i cili dyshohet për krime lufte kundër popullatës civile, në kuadër të hetimeve për rastin e njohur si “Grupi i Intelektualëve”.
Rasti lidhet me ngjarjet e 19 prillit 1999 në fshatin Mala Kalludër të Zubin Potokut, ku sipas dosjes hetimore figurojnë si viktima 23 civilë shqiptarë.
Arrestimi i Kostoviqit është bërë pas veprimeve hetimore të zhvilluara për një periudhë të gjatë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, përkatësisht Sektori për Hetimin e Personave të Zhdukur gjatë Luftës, në koordinim me Prokurorinë Speciale.
Pas arrestimit, Kostoviqi është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, por ka zgjedhr të heshtë dhe të mos japë deklaratë para hetuesve, duke shfrytëzuar të drejtën e tij për mbrojtje në heshtje.
Me vendim të prokurorit të rastit, ndaj tij është caktuar ndalimi prej 48 orësh, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.
Rasti “Grupi i Intelektualëve” është pjesë e hetimeve për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
