Detaje të reja po dalin nga incidenti i djeshëm në parkingun e Prishtina Mall, ku kapiteni i Policisë së Kosovës, Besart Ahmeti, dyshohet se është sulmuar nga dy persona, në prani të bashkëshortes dhe dy fëmijëve të tij.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:40, ndërsa burimet bëjnë të ditur se dy personat që dyshohen për sulmin ndaj kapitenit Ahmeti janë djemtë e zyrtarit policor Reshat Aliu.
Sinjali sjell fotografinë e Reshat Aliut, zyrtarit policor emri i të cilit tashmë është përfshirë drejtpërdrejt në rast, jo për vetë sulmin, por për atë që dyshohet se ka ndodhur më pas në Stacionin Policor në Graçanicë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, pasi djemtë e tij ishin shoqëruar në Polici lidhur me incidentin, Aliu dyshohet se ka shkuar në Stacionin Policor në Graçanicë i uniformuar dhe i armatosur.
Burimet bëjnë të ditur se gjatë qëndrimit atje ai dyshohet se ka ndërhyrë në punën e zyrtarëve policorë që po merreshin me rastin e djemve të tij.
Pikërisht për shkak të këtyre veprimeve, Reshat Aliu është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, ndërsa rrethanat e ndërhyrjes së tij janë bërë pjesë e trajtimit të rastit.
Në gjithë këtë ngjarje është përfshirë edhe Inspektorati Policor i Kosovës, ndërsa pritet që veprimet e mëtejshme hetimore të sqarojnë si rrethanat e sulmit të dyshuar ndaj kapitenit Ahmeti, ashtu edhe veprimet e zyrtarit policor pas shoqërimit të djemve të tij.
Siç raportoi Sinjali, Besart Ahmeti dyshohet se është sulmuar dje rreth orës 13:40 në parkingun e Prishtina Mall, derisa ndodhej aty me bashkëshorten dhe dy fëmijët.
Motivi i sulmit nuk është bërë i ditur deri më tani.
