Deputetja e LDK’së, Jehona Lushakuka kritikuar Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, duke thënë se viti i ri shkollor po nis me rrëmujë, vonesa dhe ankth për prindërit.
Lushaku ka fajësuar Ministrinë për situatën e krijuar, duke theksuar se mijëra nxënës ende nuk e dinë se kur do t’i kenë tekstet shkollore.
“Edhe një vit shkollor po fillon me rrëmujë, vonesa, ankth të prindërve, për shkak të papërgjegjësisë së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
Rreth 200 mijë nxënës të klasave 1–9, vetëm katër ditë para fillimit të mësimit, ende nuk e dinë kur do t’i kenë tekstet shkollore. Prindërit presin subvencionet, libraritë presin prindërit, ndërsa fëmijët rrezikojnë të ulen përsëri në bankat shkollore pa libra.
E Ministria e arsimit, sot, më 27 gusht, ende nuk e ka caktuar as shumën e subvencionimit për librat!”, ka shkruar Lushaku.
Ajo ka theksuar se data e fillimit të vitit shkollor ka qenë e ditur prej kohësh dhe se Ministria ka pasur muaj të tërë për t’u përgatitur.
“Data e fillimit të vitit shkollor dihej botërisht. Ministria ka pasur muaj të tërë për t’u përgatitur, jo ta lë organizimin, kur zilja e parë është gati të bjerë”, ka deklaruar ajo.
Sipas Lushakut, kjo qasje është “poshtëruese” ndaj nxënësve, prindërve dhe mësimdhënësve dhe dëshmon, sipas saj, për paaftësinë e Ministrisë për të organizuar me kohë edhe procesin më elementar të fillimit të vitit shkollor.
“Tash e pesë vite e njëjta skenë: vendime në minutën e fundit, prindër që vrapojnë pas librave, vonesa në furnizim dhe nxënës që e fillojnë shkollën pa kushtet më bazike për mësim”, ka shkruar Lushaku.
Në fund, ajo ka kritikuar Qeverinë në detyrë, duke thënë se janë fëmijët dhe familjet ato që po e paguajnë çmimin e kësaj situate.
“Fëmijët dhe familjet tona po e paguajnë çmimin e paaftësisë së një të ashtuquajture Qeveri në detyrë, që veç në detyrë nuk është!”, ka përfunduar Lushaku.
