Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për mungesën e veprimeve ndaj ministrave të Qeverisë pas rastit të rëndë të vrasjes së Ardita Zekajt në Pejë.
Duke folur në emisionin “Forum” në DTV Media, Haziri tha se kishte pritur që Kurti të merrte përgjegjësi politike dhe të ndërmerrte masa ndaj ministrave përkatës, përfshirë edhe shkarkimin e tyre.
“Kam pritur që Kurti s’ka me toleru, ka me i shkarku ministrat”, u shpreh Haziri.
Ai theksoi se në raste të rënda, përgjegjësia duhet të merret nga zyrtarët që kanë përgjegjësi institucionale, ndërsa kur ata nuk japin dorëheqje, kryeministri duhet të ndërhyjë.
“Normale është që kur ndien përgjegjësi, jep dorëheqje. Kur nuk bën veprim, i kërkohet dorëheqja. Njerëzit në rrugë po kërkojnë dorëheqje”, deklaroi Haziri.
Sipas tij, kryeministri ka autoritetin dhe përgjegjësinë që të veprojë kur ministrat nuk marrin përgjegjësinë e duhur.
Haziri tha se kishte pritur që Kurti të përdorte kompetencat e tij për të shkarkuar ministrat, duke e konsideruar këtë si një nga përgjegjësitë kryesore të kreut të Qeverisë.
