Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka reaguar sërish ndaj deklaratës së ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale në Serbi, Snezhana Paunoviq, lidhur me “spastrimin etnik” të Kosovës.
Gjatë një adresimi në Komitetin e Posaçëm për Mburojën e Demokracisë Evropiane në Parlamentin Evropian, Kos e ka cilësuar deklaratën e zyrtares serbe si “tronditëse” dhe ka shprehur habi se si ajo vazhdon të jetë pjesë e Qeverisë së Serbisë.
“Është tronditëse të dëgjosh diçka të tillë në vitin 2026. Nuk mund ta imagjinoj që një ministre, pas një deklarate të tillë publike, të mund të vazhdojë të ushtrojë detyrën e saj”, ka deklaruar Kos.
Ajo u ka bërë thirrje politikanëve në vendet që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian që të jenë të vetëdijshëm për peshën e deklaratave të tyre publike.
Deklarata e Paunoviqit, ku ajo kishte thënë se nëse do të ishte në pozitën e ish-presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq në vitin 1998, do ta kishte “pastruar etnikisht” Kosovën, ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovë, Shqipëri dhe në institucionet evropiane.
Pas kritikave, ministrja serbe kishte kërkuar falje ndaj presidentit Aleksandar Vuçiq dhe Qeverisë së Serbisë, duke pretenduar se deklarata e saj ishte nxjerrë jashtë kontekstit.
Megjithatë, reagimet ndaj saj kanë vazhduar, ndërsa çështja mbetet në qendër të debatit politik në rajon.
