Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka shqiptuar 18 gjoba ndaj KEDS, në vlerë totale prej 90 mijë eurosh, pasi janë konstatuar parregullsi në njehsorët elektrikë.
Sipas njoftimit zyrtar, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka gjetur se për 18 njehsorë të verifikuar kishte skaduar afati i vlefshmërisë.
Më tutje në komunikatë thuhet se gjatë muajit prill 2026, autoritetet kanë bërë trajtimin e ankesave të konsumatorëve lidhur me devijimet në njehsorë. Një komision ad hoc i themeluar për këtë çështje ka pranuar gjithsej 574 ankesa të dokumentuara.
“Gjatë kësaj periudhe kohore, nga konsumatorët janë tërhequr 54 njehsorë elektrikë në 7 rajone të Republikës së Kosovës, të cilët i janë nënshtruar testimit laboratorik në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës (AMK), ku në 38 prej tyre janë konstatuar devijime kohore, ndërsa në 18 njehsorë të verifikuar është konstatuar se u kishte skaduar afati i vlefshmërisë”, thuhet në njoftim.
