Policia spanjolle ka arrestuar në Tarragona një të arratisur shqiptar, i njohur si “Mjeshtri i arratisjeve”, pasi kishte arritur të arratisej nga katër burgje në Evropë.
Bëhet fjalë për Taulant Toma, 42-vjeç, i lindur në Shqipëri. Sipas raportimit të El País, Toma ishte arratisur nga tri burgje në Itali dhe një tjetër në Belgjikë. Arratisjen e fundit ai e kishte realizuar në dhjetor të vitit 2025 nga burgu i sigurisë së lartë Opera në Milano.
Toma është arrestuar në lagjen Campclar të Tarragonës. Gjatë operacionit, ai dhe personat që e shoqëronin kanë bërë rezistencë, ndërsa njëri prej tyre dyshohet se ka plagosur dy policë dhe vazhdon të jetë në kërkim.
42-vjeçari dyshohet se ndodhej në Spanjë që nga janari dhe se posedonte dokumente të falsifikuara.
Tani pritet që Toma të ekstradohet në Itali, ku ende ka një dënim për të vuajtur.
