Ish-deputeti i Partia Demokratike e Kosovës, Enver Hoxhaj, ishte mysafir në emisionin “N’Pikë” në DTV Media, ku u përball me një pyetje direkte nga moderatorja lidhur me fotografitë dhe momentet gjatë fushatës zgjedhore ku ai shihej duke ngrënë pasul.
“Pse po hani pasul”, ishte pyetja që iu drejtua Hoxhajt, ndërsa ai u përgjigj duke thënë se është politikan që takon qytetarët kudo, madje edhe në gjelltore, duke shtuar se pasulin e ka shijuar njësoj si mikpritjen në shumë familje të Kosovës.
Hoxhaj theksoi se fushatat zgjedhore nuk janë vetëm për të kërkuar vota, por edhe për të dëgjuar hallet dhe shqetësimet e qytetarëve. Ai tregoi se së fundmi kishte qenë bashkë me Xhavit Haliti në Pejë, ku kishin takuar edhe një drejtor shkolle.
Tutje, Hoxhaj tha se gjatë karrierës së tij ka vizituar shumë vende të botës, ka parë shkolla në Kosovë dhe jashtë saj, si dhe ka marrë pjesë në forume të shumta ndërkombëtare, duke nënvizuar se politika për të mbetet një pasion dhe një mënyrë për të qenë afër qytetarëve.
