Ish-kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, është deklaruar sërish i pafajshëm para Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Gjatë seancës së sotme, Krasniqi i ka mohuar pretendimet e Prokurorisë Speciale, duke deklaruar se nuk e pranon fajësinë për veprat penale që i vihen në barrë.
Krasniqi po përballet me akuza që lidhen me periudhën kur drejtonte KEK-un. Prokuroria pretendon se ai e ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar gjatë ushtrimit të detyrës.
Pas deklarimit të të akuzuarit dhe përfundimit të veprimeve procedurale, seanca e radhës është caktuar të mbahet më 25 tetor.
Nagip Krasniqi konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me aktgjykim të formës së prerë.
