Pesë persona janë arrestuar sot në Fushë Kosovë, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar lidhur me një pronë prej dy hektarësh, me vlerë rreth 1.5 milionë euro.
Në mesin e të arrestuarve raportohet se është edhe Gëzim Zogjani, drejtor i Pronës në Komunën e Fushë Kosovës.
Sipas këtyre raportimeve, përveç Zogjanit, në aksionin e Krimeve Ekonomike dhe Prokurorisë janë arrestuar edhe Adelina Gashi, Liridona Mustafa, Enver Asllani dhe Driton Gojnovci.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar arrestimin e pesë personave, por deri më tani nuk ka bërë të ditur zyrtarisht identitetet e tyre.
Rasti lidhet me dyshimet për tjetërsimin e një prone prej rreth dy hektarësh në Fushë Kosovë.
Sipas Prokurorisë, personat e përfshirë dyshohet se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare për ta pajisur një person me fletë poseduese për këtë pronë.
Më pas, personi me inicialet M.S. dyshohet se ka tentuar që, në bashkëpunim me persona të tjerë, ta tjetërsojë pronën përmes shitblerjes, duke përdorur edhe dokumente të falsifikuara.
Vlera e pronës dyshohet se është rreth 1.5 milionë euro.
Të pesë personat po hetohen për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
