Gjykata Themelore në Gjakovë i ka caktuar një muaj paraburgim të pandehurit me inicialet Ç. Zh., i cili dyshohet për veprën penale të grabitjes.
Sipas njoftimit të gjykatës, ngjarja ka ndodhur më 10 tetor 2026, rreth orës 15:00, në rrugën “Anton Çeta” në Gjakovë, në një lokal të identifikuar me inicialet “R. M. T.”.
Bazuar në kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, i pandehuri dyshohet se, i maskuar dhe nën kërcënimin e një thike, e kishte detyruar punëtoren e lokalit që t’ia dorëzonte të gjitha paratë.
E gjendur në gjendje frike dhe paniku, punëtorja nuk kishte reaguar, ndërsa i dyshuari, sipas pretendimeve, e kishte hapur dollapin ku ruheshin paratë dhe kishte marrë rreth 8 mijë euro. Pas kësaj, ai ishte larguar nga lokali me paratë e grabitura.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjyqtari i procedurës paraprake, Samedin Cena, ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.
Masa e paraburgimit do të zgjasë një muaj, nga 15 tetori deri më 15 nëntor 2026.
Kundër këtij vendimi, palët kanë të drejtë të paraqesin ankesë në Gjykatën e Apelit të Kosovës.
