Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka nisur largimin nga tregu të nëntë produkteve të qumështit, të cilat, sipas gjetjeve, përmbajnë yndyrë me origjinë bimore, përfshirë vaj palme dhe vaj kokosi.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), për produktet e kompanisë “Abrazen – Vita” inspektimet ende janë duke vazhduar. Ky aksion është ndërmarrë me urdhrin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).
Për të verifikuar zbatimin e këtij vendimi, IQMT-ja ka nisur gjatë pasdites inspektime në marketet e kategorive B dhe C, me qëllim identifikimin dhe largimin e produkteve të përfshira nga ekspozimi dhe shitja.
Sipas njoftimit, produktet e kompanive “Drena” SHPK, “Bylmeti KS” SHPK, “Koral Dayri” SHPK, “Magic Ice Joint Stock” Sh.A., “Opatija Comerc” SHPK, Qumështorja “Aldi”, “Gexha” SHPK, “ABI” SHPK dhe “Natyra-G” SHPK duhet të tërhiqen menjëherë nga tregu.
“Ndërkohë, për produktet e kompanisë “Abrazen – Vita”, procesi i inspektimit ende është në zhvillim”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, subjektet e përfshira në këtë masë janë urdhëruar të ndërpresin menjëherë përpunimin dhe paketimin e produkteve që përmbajnë yndyrë me origjinë bimore, si dhe të largojnë nga ekspozimi dhe shitja të gjitha produktet kompozite të përfshira në vendim.
MINTI ka bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin e zbatimit të këtyre masave në të gjithë territorin e Kosovës. Sipas ministrisë, ndaj çdo subjekti që nuk respekton urdhëresat e institucioneve kompetente do të ndërmerren veprimet e parapara me legjislacionin në fuqi.
Sipas MINTI-t, këto masa synojnë mbrojtjen e konsumatorëve, garantimin e zbatimit të ligjit dhe sigurimin e një tregu të drejtë dhe të sigurt.
