Shoqata e Transportit Urban në Prishtinë ka njoftuar se nga dita e hënë do të ndërpritet tërësisht shërbimi i transportit urban në kryeqytet. Vendimi, sipas tyre, është marrë pas mospagesës së borxheve nga Komuna e Prishtinës, të cilat kompanitë e transportit i konsiderojnë jetike për vazhdimin normal të operimit.
Përfaqësues të Shoqatës Izet Ismajli për DTV Media bëjnë të ditur se operatorët e autobusëve prej muajsh po përballen me vështirësi financiare, pasi komuna nuk ka kryer detyrimet e saj, duke rrezikuar funksionimin e linjave dhe mirëmbajtjen e mjeteve.
“Ne kemi njoftuar zyrtarisht Komunën e Prishtinës dhe opinionin publik se situata ka arritur në pikën kritike. Pa pagesat e parapara, kompanitë nuk kanë mundësi të vazhdojnë shërbimet,” thuhet në reagimin e Shoqatës.
Ndërprerja pritet të shkaktojë telashe të mëdha për mijëra qytetarë që përdorin transportin urban çdo ditë për të shkuar në punë, shkollë apo shërbime të tjera. Shoqata thotë se shpreson në reagim të shpejtë nga komuna, në mënyrë që shërbimi të rikthehet sa më parë.
Nga Komuna e Prishtinës ende nuk ka një përgjigje zyrtare lidhur me këto pretendime.
