Ministri francez për Çështje Evropiane, Benjamin Haddad, është përkujdesur të shkruaj në plartformën X për çdo takim që pati të hënën dhe të martën në Kosovë.
Në postimin e parë të publikuar pas mbërritjes në Prishtinë, Haddad bëri të ditur se vizita kishte për qëllim forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Francës dhe Kosovës.
Ai njoftoi se në agjendën e takimeve ishin frankofonia, investimet e Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD), bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe çështjet rajonale. Sipas tij, vizita është vazhdim i takimit të presidentit Emmanuel Macron me kryeministrin Albin Kurti më 17 mars dhe pjesë e angazhimit francez për Ballkanin Perëndimor dhe ribashkimin e kontinentit evropian.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Haddad u takua me kryeministrin Albin Kurti, me të cilin diskutoi për të ardhmen e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Në fokus të bisedës, sipas postimit të tij të dytë që lidhej me këtë takim, ishin Lojërat Mesdhetare, frankofonia, bashkëpunimi në fushën e sigurisë, bashkëpunimi gjyqësor dhe reformat.
Ai nënshkroi një marrëveshje për huazimin e 60 milionë eurove për Kosovë, për financimin e lojërave mesdhetare “Prishtina 2030”.
Në kuadër të vizitës, Haddad vizitoi edhe kontingjentin francez në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, ku shprehu mirënjohje për ushtarët francezë të angazhuar në vend.
“Kjo forcë shumëkombëshe ilustron mbështetjen evropiane për stabilitetin e rajonit”, shkroi ai, të martën, transmeton KosovaPress.
“Raportimi’ i tij më i fundit, i së martës, është ai për ndalesën në Manastirin e Graçanicës, të cilin Haddad e cilësoi si një vend me rëndësi të madhe për kulturën dhe historinë e serbëve të Kosovës, duke vlerësuar se ai pasqyron karakterin multietnik të vendit.
Përmes këtyre postimeve, ministri francez përcolli mesazhin se Franca synon të thellojë bashkëpunimin me Kosovën në fusha të ndryshme, duke e lidhur këtë me mbështetjen për stabilitetin rajonal dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.
