Gjykata Speciale në Hagë do ta shpallë të mërkurën aktgjykimin në rastin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre ish-komandantëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Siç raporton agjencia e lajmeve Reuters, prokurorët kanë kërkuar dënime nga 45 vjet burgim për Thaçin dhe tre të bashkëakuzuarit, të cilët përballen me akuza për përndjekje, vrasje, torturë dhe zhdukje të detyruar të personave gjatë dhe pas luftës së viteve 1998-1999.
Thaçi dhe të bashkëakuzuarit e tij i kanë mohuar të gjitha akuzat. Mbrojtja e Thaçit ka argumentuar se ai nuk kishte kontroll mbi komandantët e zonave të UÇK-së dhe se nuk ka prova që e lidhin drejtpërdrejt me krimet e pretenduara.
Reuters shkruan se prokuroria pretendon se më shumë se 100 kundërshtarë politikë dhe persona të konsideruar bashkëpunëtorë të forcave serbe janë vrarë gjatë një fushate që, sipas saj, synonte marrjen e kontrollit politik mbi Kosovën.
Aktgjykimi pritet të shpallet në orën 10:00 në Hagë.
Agjencia Reuters vlerëson se rezultati i këtij procesi mund të ketë ndikim të rëndësishëm në politikën e Kosovës, marrëdhëniet e saj me Perëndimin dhe raportet me Serbinë.
Sipas Reutersit, analisti Agon Maliqi e ka cilësuar aktgjykimin si një “ngjarje tektonike” për Kosovën. Ai ka paralajmëruar se një vendim lirues mund të ndryshojë balancat politike në vend, ndërsa një vendim fajësues mund të ndikojë në raportet e Kosovës me Perëndimin dhe të rrisë tensionet ndëretnike.
Edhe në rast të lirimit nga akuzat për krime lufte, Thaçi mund të mos lirohet menjëherë nga paraburgimi, pasi ndaj tij ekziston edhe një proces i veçantë lidhur me pretendimet për pengim të drejtësisë dhe frikësim të dëshmitarëve. Në këtë rast, prokuroria ka kërkuar një dënim prej gjashtë vjetësh burgim. Thaçi i ka mohuar edhe këto akuza.
