Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Niq Krasniqi, i cili thotë se ka mbi 30 vjet përvojë në angazhimin për avancimin e pozitës së shqiptarëve në Austri, ka kritikuar Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti për mënyrën e zhvillimit të politikës së jashtme.
Krasniqi e cilësoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, si “praktikant” në fushën e politikës së jashtme, duke argumentuar se mungesa e përvojës ka ndikuar në gabimet e bëra gjatë qeverisjes.
“Që në fillim të mandatit të kësaj qeverie, mendimi im ishte se gabimet në politikën e jashtme vinin si pasojë e mungesës së përvojës. I quaja praktikantë. Termin e përdorja me idenë se, nëse nuk e kalon fazën e praktikantit, e humb punën. Tani, pas pesë vitesh, mendoj se kemi probleme më serioze”, tha Krasniqi.
Ai shtoi se disa veprime të qeverisë në raport me politikën e jashtme kanë qenë të papërshtatshme dhe të dëmshme për interesat e Kosovës.
Krasniqi ishte kritik edhe ndaj ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, duke e cilësuar drejtimin e saj të diplomacisë kosovare si të gabuar.
“Donika Gërvalla është një huqje totale e politikës së jashtme në aspektin orientues”, deklaroi ai.
Sipas Krasniqit, politika e jashtme e Kosovës gjatë viteve të fundit ka pësuar devijime që kanë ndikuar negativisht në pozicionimin ndërkombëtar të vendit.
