Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Niq Krasniqi, ka theksuar rëndësinë e mërgatës shqiptare për zhvillimin dhe forcimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Përmes një deklarate publike, Krasniqi ka vlerësuar se qytetarët që jetojnë jashtë vendit nuk duhet të shihen vetëm si votues, por si një potencial i madh për krijimin e lidhjeve dhe partneriteteve me shtetet ku jetojnë dhe veprojnë.
Sipas tij, mërgimtarët janë ura të rëndësishme bashkëpunimi mes Kosovës dhe vendeve mike, duke kontribuar në promovimin e interesave të shtetit dhe në forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Krasniqi ka kritikuar gjithashtu qasjen përjashtuese në politikë, duke thënë se një qeverisje që nuk arrin të krijojë bashkëpunim me forcat e tjera politike dhe me qytetarët, nuk mund të shfrytëzojë as potencialin që ofron diaspora.
Ai ka theksuar se Kosovës i nevojitet më shumë bashkëpunim, dialog dhe përfshirje e të gjitha kategorive shoqërore, në mënyrë që të shmangen ndarjet dhe përplasjet e panevojshme në shoqëri.
Kandidati i LDK-së ka bërë thirrje që roli i mërgatës të vlerësohet më shumë, duke e konsideruar atë një aset të çmuar për zhvillimin ekonomik, diplomatik dhe shoqëror të vendit.
