Nga Ardian Azemi
Para pak ditësh reagova për çështjen e personave me çrregullime të rënda të shëndetit mendor që, në shumë raste, mbeten pa trajtimin dhe përkujdesjen e nevojshme. Rasti i fundit i therjes me thikë në Ferizaj duhet të jetë një alarm serioz për institucionet e shtetit.
Veprimet institucionale duhet të jenë të menjëhershme, serioze dhe konkrete.
Çfarë po pritet?
Edhe një rast tjetër?
Edhe një jetë tjetër e humbur?
Shteti ka përgjegjësi të ndërtojë dhe fuqizojë shërbimet e shëndetit mendor, të reagojë kur ekziston rrezik për personin ose për të tjerët dhe të sigurojë trajtim të duhur për ata që kanë nevojë.
E kuptoj dhimbjen dhe barrën e familjeve që përballen me një të afërm me çrregullime të rënda të shëndetit mendor apo me varësi nga narkotikët. Besomëni, nuk e keni aspak të lehtë. Por ju lutem, mos e përballoni këtë vetëm dhe mos lejoni që frika nga paragjykimi t’ju pengojë të kërkoni ndihmë. Bashkëpunoni me institucionet dhe profesionistët. Trajtimi në kohë mund të shpëtojë jetë.
Është shumë më e mençur dhe më njerëzore të investojmë në parandalim dhe trajtim sesa të merremi me pasojat e tragjedive. Nuk vuajnë vetëm viktimat dhe familjet e tyre; vuajnë edhe familjet e personave që përballen me këto probleme.
Personat që kanë nevojë për trajtim nuk duhet të lihen të braktisur në rrugë, sidomos kur paraqitet rrezik serioz. Ata duhet të kenë qasje në institucione adekuate, me mjekë, psikologë dhe ekipe profesionale, në mënyrë që të marrin trajtimin e nevojshëm dhe, aty ku është e mundur, të rikthehen në një jetë sa më të qëndrueshme e dinjitoze.
Mbrojtja e jetës së qytetarëve dhe trajtimi dinjitoz i personave që kanë nevojë për ndihmë nuk janë dy qëllime që përjashtojnë njëri-tjetrin. Përkundrazi, ato ecin bashkë.
Shteti duhet të veprojë sot. Nesër mund të jetë vonë.
