Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka hedhur poshtë akuzat e ngritura ndaj tij gjatë javëve të fundit të protestave, të nxitura nga projekti luksoz prej 4 miliardë dollarësh i lidhur me Jared Kushner dhe bashkëshorten e tij, Ivanka Trump.
Në një intervistë për Financial Times, Rama mohoi pretendimet se ai është “Kumbari” që qëndron pas një sistemi korrupsioni në vend.
“Njerëzit thonë se unë jam udhëheqësi i gjithë kësaj. Unë u them: ‘fuck you’. Kaq e thjeshtë,” tha ai. “Nuk më takon mua të provoj se nuk jam Kumbari, u takon atyre të provojnë se jam Kumbari.”
Nga dorëheqja e Edi Ramës te ndryshimet kushtetuese, publikohen pesë kërkesat e protestueve
Protestat, të cilat mediat ndërkombëtare i kanë quajtur “Revolucioni i Flamingove”, shpërthyen pas zemërimit publik lidhur me planin për ndërtimin e një kompleksi turistik luksoz në ishullin e Sazanit, e njohur për praninë e flamingove.
Ndërkohë, prokurorët e posaçëm kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar kanë lëshuar urdhër-arreste për 20 biznesmenë të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash.
Sipas hetimeve, miliarda euro dyshohet se janë investuar në projekte të mëdha ndërtimi përgjatë bregdetit Adriatik dhe në kryeqytetin shqiptar.
Prokuroria ka vendosur ngrirjen e pagesave me vlerë 128 milionë euro që lidhen me këtë transaksion, në pritje të përfundimit të hetimeve.
Megjithatë, Rama këmbënguli se nuk ekziston asnjë lidhje mes hetimeve ndaj pronarëve të mëparshëm të tokës dhe investimit të Kushner.
“Investimi është plotësisht i rregullt dhe nuk ka asnjë lidhje me hetimet në vazhdim”, tha ai.
Kryeministri kundërshtoi gjithashtu pretendimet se ekonomia shqiptare mbështetet në pastrimin e parave.
“Të thuash se ekonomia shqiptare bazohet te pastrimi i parave është e tmerrshme. Pastrimi i parave ekziston si pjesë e ekonomisë sonë, por nuk është një problem kaq i madh”, deklaroi ai.
Rama krahasoi situatën me vende të tjera evropiane, duke argumentuar se fenomeni nuk është ekskluziv për Shqipërinë.
“Ju mendoni se nuk ka pastrim parash në Londër? Ka. Por a mund të thuhet se ekonomia britanike bazohet në pastrim parash? Jo”, u shpreh ai.
Sipas Ramës, rritja e numrit të hetimeve dhe arrestimeve nga organet e drejtësisë ka krijuar perceptimin se korrupsioni dhe krimi i organizuar janë më të përhapura se më parë, ndërsa sipas tij realiteti është i kundërt.
“Në fakt është e kundërta. Shqipëria po lufton korrupsionin si kurrë më parë dhe sot është shumë më pak e korruptuar sesa ka qenë”, tha kryeministri.
Në intervistën e tij, Rama përsëriti pretendimin se kundërshtimi ndaj projektit është nxitur edhe nga kundërshtarët politikë të presidentit amerikan Donald Trump.
“Ka shumë interesa për ta vrarë këtë projekt për shkak të Trumpit. Po të mos ishte Jared Kushner, askujt nuk do t’i interesonin flamingot, Shqipëria apo ndonjë gjë tjetër. E gjithë kjo vëmendje vjen nga urrejtja ndaj Trumpit”, deklaroi ai.
Kryeministri u shpreh i bindur se planet për zhvillimin turistik në bregdet do të realizohen pavarësisht protestave dhe debateve publike.
“E rëndësishme është që investitorët nuk janë kriminelë dhe nuk janë të përfshirë në pastrim parash. Ata janë investitorë të mëdhenj. Kjo është një mundësi historike për Shqipërinë”, përfundoi Rama.
