Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë u ka bërë thirrje bartësve të mandatit të ri institucional që ta trajtojnë me prioritet përfshirjen e Kosovës në infrastrukturën rajonale të gazit të lëngshëm natyror amerikan (LNG), duke e konsideruar atë pjesë të rëndësishme të politikës së ardhshme energjetike të vendit.
Përmes një reagimi publik, Oda Amerikane vlerëson se Kosova ndodhet në një moment vendimtar për të ardhmen e sektorit energjetik dhe se vendimet që do të merren në periudhën e ardhshme do të ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë energjetike, zhvillimin ekonomik dhe konkurrueshmërinë e vendit.
Sipas Odës Amerikane, diskutimi për orientimin e politikave energjetike nuk duhet të kufizohet vetëm në koston fillestare të investimeve apo në opsionet që janë prezantuar deri më tani.
“Kosova gjendet në një moment vendimtar për të ardhmen e sektorit të saj energjetik. Vendimet që do të merren gjatë muajve dhe viteve në vijim do të përcaktojnë jo vetëm mënyrën e prodhimit të energjisë elektrike, por edhe nivelin e sigurisë energjetike, konkurrueshmërinë e ekonomisë dhe aftësinë e vendit për të përmbushur nevojat e një ekonomie në zhvillim”, thuhet në reagim .
Oda thekson se për një vend që vazhdon të mbështetet në kapacitete të vjetruara të prodhimit të energjisë dhe në importe të konsiderueshme të energjisë elektrike, koha për ndërtimin e kapaciteteve të reja është një faktor me rëndësi strategjike.
“Çdo vit vonesë në krijimin e kapaciteteve të reja vendore nënkupton ekspozim të vazhdueshëm ndaj paqëndrueshmërisë së tregjeve rajonale, kostove të larta të importit dhe pasigurisë së furnizimit”, theksohet në deklaratë.
Sipas Odës Amerikane, institucionet e reja kanë mundësinë të hartojnë një politikë energjetike të mbështetur në analiza profesionale dhe në interesin afatgjatë të Kosovës.
Në këtë drejtim, Oda u bën thirrje autoriteteve që qasjen në infrastrukturën rajonale të LNG-së amerikane ta trajtojnë si prioritet strategjik.
“Oda Amerikane u bën thirrje atyre që qasjen në infrastrukturën rajonale të LNG-së amerikane ta trajtojnë me prioritet dhe ta vlerësojnë këtë mundësi si një investim strategjik në sigurinë energjetike, konkurrueshmërinë ekonomike dhe të ardhmen e Kosovës”, përfundon reagimi.
