Mes dhimbjes, kujtesës dhe thirrjes për drejtësi, në fshatin Qyshk u përkujtuan sot viktimat e një prej masakrave më të rënda të luftës në Kosovë.
Pranë lapidarit të të rënëve, kandidatja për presidente nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës Vjosa Osmani, dhe kandidati për kryeministër Lumir Abdixhiku, bënë homazhe në nderim të civilëve të vrarë në masakrat e Qyshkut, Zahaqit, Pavlanit dhe Llabjanit.
Në përvjetorin e masakrës së 14 majit 1999, u rikujtua krimi i kryer nga forcat e regjimit serb ndaj popullatës civile shqiptare në rajonin e Pejës.
Sipas të dhënave të bëra publike, në Qyshk u vranë 44 civilë, në Zahaq 17, në Pavlan 21 dhe në Llabjan 13 civilë shqiptarë. Në tërë zonën Qyshk–Pavlan–Zahaq–Llabjan, rreth 100 civilë u masakruan mizorisht.
Gjatë homazheve, Osmani dhe Abdixhiku nderuan kujtimin e viktimave dhe ritheksuan rëndësinë që krimet e luftës të mos harrohen dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë.
“Synimi i forcave serbe ishte spastrimi etnik i kësaj pjese dhe shfarosja e popullit shqiptar. Secili nga këta të vrarë është pjesë e historisë së Kosovës, e sakrificës për liri dhe shtet. Drejtësia për viktimat e luftës vazhdon të mbetet obligim institucional dhe kombëtar, sepse paqja e qëndrueshme mund të ndërtohet vetëm mbi të vërtetën dhe drejtësinë”, u tha gjatë homazheve.
Në këtë përvjetor, u bë thirrje për ruajtjen e kujtesës institucionale dhe qytetare për të gjitha viktimat e luftës në Kosovë, si dhe për vazhdimin e angazhimit në kërkim të drejtësisë për krimet e kryera gjatë luftës.
