Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së i ka quajtur “jo vetëm të çuditshme, por edhe qesharake” pretendimet e kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, rreth juridiksionit dhe mandatit të Gjykatës Speciale.
Në një reagim për media të martën, OVL e UÇK-së tha se Trendafilova duhet ta dijë se Kuvendi është organi më i lartë legjislativ në Kosovë dhe se është ai që miraton ligjet e vendit.
“Të pretendosh se një gjykatë ka të drejtën e zgjedhjes së ligjit që rregullon veprimtarinë e saj, është jo vetëm e çuditshme, por edhe qesharake. Këto pretendime i lexuam në komunikatën e znj. Trendafilova”, tha OVL në reagim.
“Zonja në fjalë, duhet të dijë se në Kosovë, ligjet i miraton Kuvendi. Vet Dhomat e Specializuara ekzistojnë sepse u krijuan nga Kuvendi, andaj ato nuk kanë pushtet mbi institucionin që i themeloi”.
OVL tha se kritika ndaj vendimeve gjyqësore “është e drejtë legjitime dhe nuk do të heqim dorë prej saj”.
Në një adresim për media të martën, Trendafilova tha se askush nuk mund të ndërhyrjë në vendimin e gjyqtarëve të Gjykatës Speciale, duke reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në Kosovë rreth kësaj gjykate.
“Dhomat e Specializuara janë përballur me dezinformata lidhur me pavarësinë dhe funksionimin e tyre. Gjithashtu, ka pasur përpjekje për të penguar rrjedhën e drejtësisë, të cilat kanë çuar në dënime dhe pranime të fajësisë për frikësimin e dëshmitarëve para gjykatës. Dhomat e Specializuara janë një institucion gjyqësor me mandat të përcaktuar përmes një shkëmbimi letrash, Kushtetutës së Kosovës dhe Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, tha Trendafilova në adresimin e saj.
