Biznesmeni kosovar, Behgjet Pacolli i ka bërë thirrje Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri (SPAK) që të nisë hetime lidhur me, siç e ka cilësuar ai, një skandal të rëndë në Aeroportin e Vlorës.
Pacolli ka deklaruar se qytetarët nuk janë informuar për “gjendjen reale” në aeroport, duke kërkuar që të hetohen personat që, sipas tij, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin.
“Koha për të zbardhur të vërtetën dhe për të vënë përgjegjësit para drejtësisë është tani”, ka shkruar Pacolli.
Ai ka kërkuar nga SPAK një hetim “të plotë, të pavarur dhe gjithëpërfshirës”, pa mbrojtje për askënd, pavarësisht pozitës apo ndikimit që mund të ketë.
“Për këtë arsye, i bëj thirrje urgjente SPAK-ut të nisë menjëherë hetime të plota mbi këtë skandal të rëndë, të krijuar dhe ushqyer nga individë që kanë vepruar dhe vazhdojnë të veprojnë në kundërshtim me ligjin, duke cenuar rëndë shtetin e së drejtës dhe sistemin juridik të Republikës së Shqipërisë. Koha për të zbardhur të vërtetën dhe për të vënë përgjegjësit para drejtësisë është tani.”
Ai ka thënë se terminali i Aeroportit të Vlorës ka qenë i bllokuar dhe i uzurpuar për më shumë se dhjetë muaj, ndërsa ka shtuar se kompania MABCO dhe nënkontraktorët e saj tashmë janë rikthyer në vendet e punës.
“Sot MABCO dhe nënkontraktorët tanë kanë mundur të rikthehen në vendet e tyre të punës. Në këto momente po kryhet verifikimi dhe evidentimi i dëmeve të shkaktuara nga vandalizmi, vjedhjet dhe shkatërrimet”, ka deklaruar ai.
Sipas Pacollit, dëmet përfshijnë inventarin e projektuar dhe instaluar për funksionimin e aeroportit, si dhe pajisje dhe mjete pune që u përkasin kompanive nënkontraktuese.
Ai ka ngritur dyshime edhe për mbështetje ose tolerim institucional ndaj personave që i ka akuzuar për veprime të paligjshme.
“Më shqetësues është fakti se veprimtaria e tyre dyshohet se është mbështetur ose toleruar nga individë që fshihen pas petkut institucional”, ka thënë Pacolli, duke shtuar se në disa raste, sipas tij, është tentuar të ndikohet edhe në procese gjyqësore.
Ai ka theksuar se duhet të identifikohet i gjithë zinxhiri i personave të përfshirë në ngjarjet e pretenduara, si dhe ka kërkuar masa për garantimin e sigurisë së punonjësve dhe kompanive kontraktuese në Aeroportin e Vlorës.
