Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka publikuar një kronologji të ngjarjeve që, sipas tij, lidhen me konfliktin rreth Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës dhe kompanisë MABCO.
Pacolli pretendon se më 3 prill 2025 është hartuar një dokument për transferimin e 47% të kuotave të MABCO-s në VIA, pa autorizimin e kompanisë.
Sipas tij, në dokumentacion është përdorur edhe firma e tij, të cilën Pacolli thotë se nuk e ka autorizuar për një transaksion të tillë.
Postimi i plotë:
KRONOLOGJIA E FAKTEVE DHE VEPRIMEVE QË TREGON SI LINDI SKANDALI I AEROPORTIT TË VLORËS DHE SI VEPRUAN INSTITUCIONET ( Pale e kontrates se koncesionit) PËR TË LIKUIDUAR MABCON NGA E DREJTA E MENAXHIMIT TE KOMPANISE SE SAJ.
19 gusht 2025 – Zbulimi i dokumenteve për transferimin e 47% të kuotave të MABCO-s
Më 19 gusht 2025, MABCO mësoi rastësisht se më 3 prill 2025, vetëm pak ditë para zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, pranë noteres Valbona Selimi ishte hartuar një akt për transferimin e 47% të kuotave të MABCO-s në VIA.
Sipas këtij dokumenti, ish-administratori i VIA-s, Valon Lluka, do t’ia transferonte këto kuota Valon Ademit, zotëruesit të vetëm 2% të aksioneve, duke e çuar atë praktikisht nga 2% në 49%.
MABCO deklaron se nuk ka autorizuar kurrë një transaksion të tillë.
Dokumentacioni, sipas MABCO-s, është mbështetur në përdorimin e një firme të z. Behgjet Pacolli të marrë nga një dokument i vitit 2023, i cili ishte hartuar për një qëllim krejtësisht tjetër.
Z. Pacolli nuk ka qenë i pranishëm në zyrën e noteres Valbona Selimi dhe nuk ka dhënë autorizim për tjetërsimin e kuotave të MABCO-s.
Për më tepër, që nga viti 2011, z. Pacolli nuk ka të drejtë ligjore të nënshkruajë dokumente që krijojnë detyrime për MABCO-n. Të drejtën e përfaqësimit e kanë vetëm personat e regjistruar në
Regjistrin Tregtar të kompanisë, ku emri i tij nuk figuron. Ky fakt është konfirmuar edhe në një procedurë gjyqësore në Lugano.
Firma e z. Pacolli rezulton të jetë përdorur gjithashtu në një vendim të pretenduar të Bordit të Drejtorëve të MABCO-s, ndonëse ai nuk ishte as anëtar, as drejtues i këtij Bordi dhe nuk kishte kompetencë për ta nënshkruar atë.
Dokumenti i transferimit u mbajt i fshehtë dhe ekzistenca e tij u zbulua nga MABCO vetëm më 19 gusht 2025.
A kishte pasur tentativa për regjistrimin e transferimit të kvotave në QKB, Mabco nuk e din, por regjistrimi nuk ka ndodhur.
Ky është momenti nga i cili fillon zinxhiri i ngjarjeve që më pas çoi në konfliktin dhe situatën e sotme në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës.
